Teatri Metropol është një qendër dinamike kulturore që synon të sjellë për publikun shqiptar dhe ndërkombëtar vepra teatrore me nivel të lartë artistik. I udhëhequr nga vlerat e gjithëpërfshirjes, dialogut konstruktiv dhe humanizmit universal, Metropoli është një hapësirë ku arti takon komunitetin dhe frymëzon reflektim, bashkëbisedim dhe rritje.
Misioni ynë është të realizojmë shfaqje cilësore – shqiptare dhe botërore – që flasin me ndershmëri dhe forcë artistike për realitetin dhe shpirtin njerëzor. Vizioni ynë është të ndërtojmë një standard të ri në cilësinë e prodhimit artistik dhe trajnimit profesional të talenteve të reja, duke i shërbyer një audience të gjerë: fëmijë, të rinj dhe të rritur.
Platforma jonë artistike është e ndarë në tre shtylla:
- Teatri i të Rriturve: 6 premiera çdo vit, me produksione origjinale dhe bashkëpunime me artistë të jashtëm. Dy prej tyre janë të lëvizshme dhe çdo shfaqje jepet deri në 15 herë.
- Teatri i Fëmijëve: 4 premiera në vit, të krijuara me dashuri për publikun më të vogël, nga të cilat dy janë të lëvizshme dhe secila shfaqet deri në 20 herë.
- Teatri i të Rinjve: 2 premiera në vit të dedikuara moshës 14-18 vjeç, me një fokus të veçantë tek temat bashkëkohore dhe përfshirja aktive e të rinjve në botën e teatrit.